Presidenti Ademi priti ambasadorin e OSBE-së – Braathu: Jeni storie e suksesit

Presidenti Agim Ademi ka pritur, sot, në selinë e tij, ambasadorin e OSBE-së, Jan Braathu. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe nënkryetarët Bakir Burri, Predrag Joviç e Agim Dibrani, anëtarja e KE-së, Vjollcë Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. Me këtë rast duke i dëshiruar mirëseardhje, presidenti Ademi e njoftoi ambasadorin Braathu për zhvillimet në futbollin e Kosovës dhe punën që po e bën FFK-ja si dhe sistemin dhe ecurinë e garave.

“OSBE është një institucion me të cilin jemi rritur këtu dhe e njohim vetëm për gjëra të mira. Më vjen mirë që OSBE prezantohet me njerëz sikur ju. E njoh kontributin e juaj që nga Rambuje, po ashtu misionin e juaj në Bosnje dhe njëkohësisht në Shqipëri. Jeni një njeri i cili e njeh mjaft mirë Ballkanin dhe mentalitetin e popujve këtu. Ju vini nga një shtet i cili e ka popullin më të lumtur dhe më të shkolluar dhe besoj se mund ta sillni një frymë të tillë edhe tek ne”, ka theksuar presidenti Ademi.

“Federata është për momentin institucioni kryesor që përcjell dozë të kënaqësisë në popull dhe një adrenalinë pozitive. Edhe përbërja jonë si KE është e tillë që i përfshinë të gjithë Kosovën, e po ashtu edhe të gjitha komunitetet që jetojnë këtu dhe secili nga ne e ka nga një sektor që e mbikëqyr. Po ecim në drejtim të duhur, duke i pasur parasysh edhe rezultatet e ekipit kombëtar. Sidomos nga pranimi në UEFA e FIFA jemi me kredibilitetin më të lartë për transparencë dhe bashkëpunim dhe për realizimin e projekteve dhe obligimeve që i kemi”, ka shtuar presidenti Ademi.

Tutje presidenti ka thënë se normalisht që ende ka probleme sepse Kosova nuk ka qenë e zhvilluar në aspektin e infrastrukturës, por e ka njoftuar ambasadorin se Qeveria ka investuar në dy stadiumet në Prishtinë dhe Mitrovicë, derisa tani është duke u finalizuar edhe projekti i përbashkët për 12 fusha stërvitore me Ministrinë e Sportit dhe Komunat.

“Po mundohemi të shtrijmë infrastrukturën në të gjitha pjesët e vendit. Po punojmë dhe mendoj se jemi në rrugën e drejtë sepse gjithçka është transparente. Normalisht se ndonjëherë suksesi dikujt edhe i pengon, por aty këtu ka ndonjë turbulencë të vogël, por ne e konsiderojmë veten si një anije të sigurt sepse i gjithë ekuipazhi jemi në vendin e duhur. Për fat të mirë pjesa popullore është në anën tonë. I kemi diku 5 mijë tifozë të regjistruar, të cilët në çdo ndeshje po krijojnë atmosferë për lakmi dhe pa më të voglin ekces”, ka nënvizuar presidenti Ademi.

Ndërkaq, nga ana e tij ambasadori Braathu shprehu falënderimin e tij për mikpritje të ngrohtë, derisa u shpreh i kënaqur për të arriturat e Federatës së Futbollit të Kosovës pas pranimit në UEFA e FIFA.

“Duhet të ndiheni krenarë që puna e juaj e ka bërë krenar një popull të tërë. Rezultatet e arritura nga Kombëtarja juaj janë storie suksesi dhe imazhi më i mirë që keni mundur të përcillni në botë. Falë punës suaj tani të gjithë kanë njohuri për vendin tuaj dhe për popullin tuaj. Me paraqitjet e juaja në ndeshjet e futbollit keni treguar kulturë të lartë sportive dhe jeni treguar popull mikpritës dhe shumë i dashur, për çka ju përgëzoj”, ka theksuar ambasadori Braathu.