Mrekullia Alaves, nga vendi i fundit me De Biasin te kryesimi në La Liga

Alaves ka marrë kreun e kampionatit spanjoll, edhe pse ndoshta deri sot në mbrëmje, falë fitores 1-0 regjistruara të premten në Vigo.

Tomas Pina shënoi golin vendimtar për baskët, që e kanë nisur në mënyrë fantastike sezonin e ri.

Një ndeshje perfekte në organizim për Alaves, që i la zotërimin e topit Celta-s, u mbrojt me shumë kujdes dhe goditi në rastet e pakta që krijoi, me vetëm dy goditje në kuadrat në gjithë ndeshjen.

Meritë e padiskutueshme e trajnerit Abelardo, i cili brenda një viti e ka transformuar totalisht Alavesin, klub që nuk ka fituar asnjë trofe në historinë e vet, edhe pse mund të krenohet me një finale në Kupën UEFA, ku u mundën nga Liverpool në vitin 2001.

Sezoni i shkuar nisi mjaft keq për Alavesin, që ndërroi trajner dhe punësoi ish-trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi.

Edhe me italianin gjithçka shkoi keq dhe në nëntor, pas 6 humbjesh në 8 ndeshje, erdhi ndryshimi i radhës, me Abelardo që mori vendin e De Biasit.

Që atëherë, nga vendi i fundit, Alaves pati një rritje konstante duke e mbyllur sezonin në një pozicion shumë komod, ndërsa tani kap majat.

Titull e Champions nuk i ëndërron askush, natyrisht, por gjithnjë del një ekip që habit të gjithë dhe qëndron deri në fund në garë për një vend në kupat e Europës. Ndoshta këtë vit e ka radhën Alaves.