Përralla e Shqipërisë me Binakun, “i akullti” i Suedisë u kthye në origjinën vullkanike

Djalosh, do ta nisësh si titullar“, – i ka thënë trajneri Christian Panucci Binakut. Ky i fundit ka kthyer sytë natyrshëm drejt kapitenit, Ansi Agolli, pa shumë përqëndrim. “Jo, jo, e kam me ty. Do ta nisësh si titullar kundër Izraelit“, – iu drejtua sërish italiani. 23-vjeçari pa trajnerin në sy dhe e kuptoi se e kishe serioizisht. Ai, në grumbullimin e tij të dytë me kombëtaren, do ta niste si titullar duke lënë në stol kapitenin në ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Kombeve.

Pavarësisht se është lindur në Amal, një qytet të vogël me vetëm 9065 banorë, mbrojtësi nuk ka marrë ftohtësinë e skandinavëve, klima nuk i ka ndikuar në gjakftohtësinë e tij, pasi origjina shqiptare nuk e lë. E pamë dhe në 20 minutat e para të ndeshjes ku ishte i mbytur nga emocionet. Binaku kishte frikë të ishte pikë pasimi, të dilte para, por qëndroi vetëm pozicional.

Pas kalimit të minutave iu larguan dhe ato pak mornica në trup dhe Binaku na tregoi të gjithëve se çfarë mund të bënte. I sigurt në mbrojtje, teknik, kishte guxim të dilte përpara në sulm (doli më shumë se Hysaj), e mbështeti si duhet Hykën, duke formuar një dyshe të lezetshme dhe na fitoi zemrat të gjithëve. Pas shumë provash me Alijin, Memollën, Lenjanin, e ndonjë tjetër, Panucci duket se ka gjetur zëvendësuesin ideal të Agollit.

23-vjeçar, i ri, ambicioz dhe me të dhëna të mira për të ardhmen. Binaku luan me Malmon në kampionatin suadez. Nuk është titullar absolut, por merr minutat e tij. Karriera e tij ka qenë e ndërtuar sipas një rendi logjik, pasi i ka kryer lëvizjet shkallë shkallë. Në vitin 2014 e pikasi Hakeni, klub nga Goteborgu, që prej vitesh është në majat e futbollit suedez. Prej vitit 2015 në ekipin e parë, Binaku pati vetëm një periudhë të shkurtër huazimi te Ljungskile, ndërsa në vitin 2017 u bë titullar te Hakeni, me 22 ndeshje në kampionat, 15 prej të cilave nga minuta e parë.

Vetëm 3 kartonë të verdhë dhe një i kuq gjatë sezonit, kartoni i kuq erdhi pikërisht kundër Malmos, por ishte një simulim i kundërshtarit. Malmo e pëlqeu dhe në fund të vitit të shkuar vendosi ta blinte për 800 mijë euro, pasi Binaku kishte rinovuar verën e shkuar. Kontratë 4-vjeçare për mbrojtësin e majtë, i cili te Hakeni e kishte nisur si anësor i majtë ofensiv, pozicion që di ta bëjë mirë. Këtë sezon, 14 ndeshje në fushë, 9 si titullar me fanellën e Malmos.

Binaku është një emër i vlerësuar në Suedi, pasi ka qenë pjesë e Shpresave të këtij shteti, megjithatë, djaloshi me origjinë nga Kosova, zgjodhi kombin e tij dhe flamurin kuqezi. Ky mund të jetë një prej atyre rasteve që nuk është ftuar nga kombëtarja suedeze dhe u mor nga Shqipëria, por ne na pëlqen t’i japim ngjyra të tjera, pasi Binaku mund të jetë shumë gjatë në kombëtare. Një ndeshje nuk është asgjë, do t’i duhen 90 minutat kundër Skocisë për t’u konfirmuar.