Befason Pique: Tërhiqem nga përfaqësuesja e Spanjës

Gerard Piqué, kapiteni i tretë i Barcelonës i befasoi të gjithë në konferencën për shtyp një ditë para Superkupës së Spanjës, duke deklaruar se tërhiqej nga kombëtarja.

“Kam folur me Luis Enriquen një apo dy javë më parë. Më telefonoi dhe unë e njoftova për vendimin që kisha marrë dhe që e kisha menduar prej ca kohësh. Ka qenë një etapë shumë e bukur, për të cilën unë jam shumë i lumtur, por tani dua të përqendrohem vetëm te Barcelona. Kam për të luajtur edhe disa vite te Barça dhe dëshiroj të jap më të mirën.”

 Pique gjatë komunikimit me gazetarët hodhi poshtë çdo mundësi që ky vendim të kthehej.

Pique kaloi shifrën 100 të takimeve me përfaqësuesen në kampionatin botëror që u sapo u mbyll në Rusi, për t’u ngjitur më pas në kuotën 102, sidoqoftë qendërmbrojtësi katalan pranoi se ka kaluar vërtet një periudhë shumë të bukur me kombëtaren e vendit të tij. Gerard Pique është krenar për arritjet dhe sukseset e përfaqësueses së Spanjës, me të cilën ishte pjesë shumë e rëndësishme si në triumfin e vitit 2010, në Kupën e Botës që u zhvillua në Afrikën e Jugut ashtu edhe kampionatin evropian që u mbajt në Poloni dhe Ukrainë, dy vjet më vonë, kohë që përkon padyshim edhe me periudhën më të lavdishme në historinë e kombëtares spanjolle.

Që përpara se të fillonte Kupa e Botës në muajin qershor 31-vjeçari kishte deklaruar se botërori në Rusi do të përbënte gjithashtu edhe aktivitetin e tij të fundit të rëndësishëm, me fanellën e kombëtares spanjolle, gjithsesi më pas historia dihet “La Furia Roja” zhgënjeu shumë dhe pas kalimit tepër të mundimshëm të fazës së grupeve skuadra e drejtuar nga trajneri i përkohshëm Fernando Hierro u eliminua që në fazën e 1/8 nga përfaqësuesja e Rusisë. Mendohej se emërimi i ish-trajnerit të Barcës Luis Enrique në krye të Spanjës mund të influenconte në vendimin e qendërmbrojtësit për të vijuar karrierën me përfaqësuesen, megjithatë Pique që shpesh herë ka qenë burim kritikash dhe polemikash për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe mbështetjes së hapur ndaj Pavarësisë së Katalunjës vendosi t’i japë fund këtu.

Pique i bashkohet kështu edhe ish-shokut të tij të skuadrës Andres Iniesta, që e bëri zyrtare tërheqjen nga seleksion spanjoll, menjëherë pas eliminimit në fazën e 1/8 me Rusinë.