Kukësi kërcënon me moszhvillim të ndeshjes në Ligën e Evropë, katër lojtarë nuk i marrin vizat për Gjeorgji

Kukësi ka kërkuar shtyrjen e ndeshjes së turit të tretë të Ligës së Evropës me Torpedo Kutaisin, pasi katër lojtarë të formacionit verilindor nuk kanë marrë viza nga shteti gjeorgjian.

Ndeshja mes Torpedo Kutaisit dhe Kukësit është programuar nga UEFA të luhet më 9 gusht, në orën 21:00.

“Katër lojtarë të ekipit tonë nuk janë pajisur me vizë hyrëse nga autoritetet gjeorgjiane. Konkretisht Fait Reginaldo nga Mozambiku; Valon Ethemi dhe Edis Maliqi nga Maqedonia; si dhe Faton Maloku nga Kosova”.

“ Është shkëmbyer i gjithë dokumentacioni i duhur me klubin pritës dhe Konsullatën gjeorgjiane në Stamboll, atë shqiptare në Stamboll, kemi vënë në dijeni Ministrinë shqiptare të Jashtme, sikurse dhe delegatin e UEFA-s, që të na ndihmojnë në përshpejtimin e marrjes së vizave”.

“Nga klubi dhe autoritetet gjeorgjiane na është premtuar se ky problem do të zgjidhet, por nisur nga kjo situatë, në rast të mosdhënies së vizave për këta lojtarë, ndeshja duhet të shtyhet”, shkruhet në komunikatën e Kukësit.

Sipas verilindorëve, arsye që nuk kanë të bëjnë aspak me futbollin po cenojnë aventurën evropiane të klubit, për gjeste që dëmtojnë lojën më popullore në planet dhe cenojnë “Fair Play”-n./top channel/