Bolt nënshkruan kontratën e parë si futbollist

Usain Bolt, kampioni olimpik legjendar në sprint, ka një shans për ta kthyer në realitet, ëndrrën për të qenë një futbollist profesionit. Njeriu më i shpejtë në planet, tashmë 31 vjeç, fitoi mundësinë e artë për të nënshkruar kontratën një vjeçare me skuadrën e Central Coast Marine, që militon në ligën e parë të Australisë.

Sipas të përditshmes australiane “The Daily Telegraph”, fillimisht xhamaikanit do t’i ofrohet një kontratë 6-javorëshe, që do të shërbejë si një test apo kohë prove me shpresën që ai të përmbushë pritshmëritë, e në rast se sfida do të superohet me sukses nga Bolt, ekipi i Central Coast do t’i hapë dyert duke i ofruar kontratën për një sezon të plotë.

Eksperiencat e tij të mëparshme kanë qenë në kuadrin e miqësoreve, ndërkohë që tashmë legjenda e 100-metërshit do të trajnohet nga Mike Phelan, që më parë ka qenë asistenti i Sir Alex Frguson tek Mancehster United. Me shpresën që forcat e shtuara në këtë organikë të funksionojnë si një e tërë, Bolt mund të nisë me sukses aventurën e tij të re.