Shkëndija eliminon Sheriffin, në turin tjetër me Salzburg

 Shkëndija e Tetovës ia doli të sigurojë kualifikimin për në fazën tjetër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, duke eliminuar moldavët e Sheriff Tiraspolit.

Kuqezinjtë arritën të mbajnë një barazim pa gola në Moldavi dhe u kualifikuan më tej falë fitores 1-0 të arritur një javë më parë në stadiumin “Filipi II” të Shkupit.

Turi i tretë ka rezervuar një short aspak të lehtë për skuadrën tetovare, pasi do të përballet me gjigantët austriakë të Salzburgut, të cilët sezonin e kaluar mbërritën deri në gjysmëfinalet e Europa Leagues.

Gjithsesi, edhe në rast eliminimi, Shkëndija e ka të sigurt pjesëmarrjen në Play Off-in e Europa Leagues, arritje që e garanton për herë të tretë radhazi.

Nesër do të jetë radha e Kukësit, që të tentojë kualifikimin për në turin e tretë eliminator, teksa do të përballet në Azerbajxhan me Qarabagun vendas.