Dështoi në Botëror, Hierro nuk është më as drejtor sportiv i Spanjës

Fernando Hierro largohet nga Kombëtarja Spanjolle. Ai që u zgjodh si njeriu më i përshtatshëm për të drejtuar përfaqësuesen iberike në “Rusi 2018” ka hequr dorë edhe nga roli i drejtorit sportiv, edhe pse kontrata me Federatën Spanjolle të Futbollit ishte në fuqi edhe pas dështimit si trajner.

Qeveria e futbollit spanjoll, nëpërmjet një njoftimi zyrtar informon se Hierro “largohet për të kërkuar horizonte dhe sfida të reja profesionale.”

Gjithashtu në komunikatë nxirren në pah “vlerat profesionale dhe njerëzore të një sportisti të jashtëzakonshëm”, të cilit federata i uron fat dhe më të mirën në karrierën e metejshme.

Largimi i Hierros nga posti i përkohshëm i trajnerit, sidomos pas dështimit në Botëror, ishte i pritshëm, por vjen si surprizë vendimi i tij për të hequr dorë edhe nga detyra e drejtorit sportiv.