Belgjika kushton 434 milionë euro, “yjet” e saj ndezin merkaton

A do të mjaftojë gjysmë miliardi euro për të fituar një Botëror që nuk ka çmim? Mediat e huaja, përmes vlerësimit të merkatos, zbulojnë sa vlen skuadra titullare e Belgjikës. Del një shifër aspak keq, 434 milionë euro, duke mos llogaritur këtu ata që qëndrojnë në stol. Ja rastësisht Belgjika është mes katër më të mirave.

Martinez ka brumin e duhur, duke nisur nga Thibaut Courtois, portieri i aftë për të fshirë “pezhishkat” e merimangës për të mos i lejuar golin Neymarit. Këtë verë mund të lërë Londrën, destinuar për të veshur fanellën e Realit. Interesante shifrat edhe në mbrojtje.

Aldewireld vlen 40 milionë euro dhe është i blinduar te Tottenhami, që ka ngritur mur para interesit të Juventusit e Interit. Vincent Kompany dhe karrierën e tij të pasur e njohin të gjithë. Nuk lëviz nga City për moshën dhe faktin se Guardiola nuk dëshiron të privohet prej tij. Mund të transferohet këtë verë Vertonghen, që e kërkon Murinjo te United, ashtu si dhe Meunier që nuk po gjen hapësira te PSG, i eklipsuar nga Dani Alves, me Napolin që e josh si destinacion.

Në mesin e fushës gjejmë Witsel. Në Kinë fiton si faraon dhe luan si në plazh dhe nuk dihet nëse do të gjejë stimujt për të sakrifikuar në një skuadër të madhe në Europë. Maruane Fellaini është i lidhur me zinxhirë të Manchester United, ku pas një “tërhiq e mos këput” vendosi të rinovonte me “Djajtë”.

De Bruyne kërkohet nga të gjithë, por edhe ai është i lidhur te City, ku drejtuesit nuk duan të dëgjojnë ofertat që u vijnë nga e gjithë bota. E pamundur ta shkëputësh nga Citizens. Lukaku, teorikisht është i paprekshëm për United, por Reali i Madridit ka nevojë për një sulmues, veçanërisht nëse ikën Ronaldo. Lopetegui nuk e do 9-ën false dhe vështirë të gjejë një qendërsulmues më qendërsulmues se numri 9 i Belgjikës. Duhen 90 milionë euro, por Perez është nga ata që nuk mendon shumë për shpenzimet.

Megjithatë, më i dëshiruari për momentin në Madrid është pa dyshim Eden Hazard. Te Reali po mendojnë madje se është më mirë të sulmojnë për të se për Neymarin. Lojtari dëshiron Realin dhe ka profilin që i shijon më shumë fisnikërisë së “Bernabeut”, ku gjithmonë kanë marrë futbollistët që shkëlqejnë në Botëror.

Mjafton të kujtosh blerjen e Ozil pas “Afrikë e Jugut 2010” apo atë të kolumbianit James Rodriguez e Tony Kroos pas Botërorit të Brazilit 4 vjet më parë. Si shumë shokë të tjerë të skuadrës edhe ai është në qendër të merkatos, shumë prej tyre në fund të Botërorit mund të bëjnë gati valixhet, ndoshta duke marrë me vete edhe Kupën.