Botërori, Afrika nuk paraqitej kaq keq prej 36 vitesh

Kush e do futbollin prej vetëm dy ditësh, ndien mungesën e Afrikës. Rusi 2018 ka djegur tre dhjetëvjeçarë iluzionesh dhe shpresash. Pas 36 vitesh të gjithë janë kthyer në shtëpi pas fazës me grupe dhe e ardhmja duket shumë larg.

Emocionet e fundit të forta kanë qenë në Botërorin e 2010-ës, në Afrikën e Jugut: penalltia e gabuar nga Asamoah Gyan në minutën e 121-të të çerekfinaleve kundër Uruguait të Suarez dhe buzëqeshja e lodhur e Nelson Mandela-s, i dërrmuar nga një jetë të kaluar me beteja, në ceremoninë e mbylljes.

Shpresohej te një shpikje e Senegalit, por skuadra e trajnerit Aliou Cisse është larguar për shkak të rregullit të “fair play”-it – e barabartë në gjithçka me Japoninë, por me më shumë kartonë të verdhë – dhe pikërisht senegalezi, trajneri i Luanëve të Terangas, do të meritonte çmimin e të qenit sportiv për deklaratat e bëra pas eliminimit:

“Jemi eliminuar sepse e kemi merituar. Fair play është një nga rregullat e turneut dhe normat duhen respektuar. Është e qartë se do të kishim preferuar të eliminoheshim në një mënyrë tjetër, por kjo është rregullorja dhe është e drejtë kështu. Më vjen keq për tifozët, për këtë brez dhe për futbollistët që kanë luftuar për vendin e tyre çdo ditë”.

Një leksion stili, që fshin debatin në lidhje me “fair play”, një kriter sigurisht më sportiv dhe më pak i rastësishëm se hedhja e monedhës. Në të njëjtën mënyrë, nuk mund të konsiderohet i rastësishëm largimi i të gjithë skuadrave afrikane. Vitet Nëntëdhjetë kanë krijuar iluzionin se kontinenti i zi do të ishte e ardhmja e topit. Botërori i organizuar në Afrikën e Jugut të Mandela-s, në 2010-ën, u konsiderua trampolina e fundit.

Por, Afrika, jo vetëm që është ndalur, por është kthyer mbrapa, e parakaluar edhe nga Azia. Fjalët e Didier Drogba, ish-yll i Bregut të Fildishtë, tregojnë rrugën që duhet ndjekur:

“Kjo është një ngelje në klasë dhe një dhimbje e madhe, por është një rast për të rishikuar gjithçka dhe për të kërkuar një rrugë të re që duhet ndjekur. Kemi potencialin dhe paratë, por nuk mjafton. Duhen strukturat dhe vazhdimësia e skuadrave europiane dhe ato amerikanojugore. Dhe duhet që të kemi një mentalitet të ndryshëm në evenimente si Botërori”.