Majori anglez stërviti kombëtaren për Botërorin

Një vit më parë Garet Sauthgejt “afroi” në kombëtare edhe majorin Skoti Mills nga Marina Mbretërore. Në prag të sfidës vendimtare kundër Skocisë dhe një miqësoreje me Francën, tekniku dërgoi një grup lojtarësh në “Vudbëri Kamon” në Devon të Anglisë. Miniskuadra iu nënshtrua një stërvitje në limite për të testuar rezistencën e lojtarëve jo vetëm në nivel fizik, por edhe mendor.

Para se të kuptonin plotësisht atë që u kërkoi, një oficer i Marinës Mbretërore hyri dhe i urdhëroi futbollistët si të ishte trajneri i tyre. Telefonat celularë u dorëzuan teksa vendndodhja e destinacionit nuk duhej t’i tregohej as familjeve e aq më pak klubeve të tyre. Lojtarët e përfshirë në këtë projekt ishin Herri Kejn, Xhon Stons, Dele Ali dhe Rahim Sterling, të cilët u detyruan të visheshin me rroba ushtarake, të dorëzonin çdo objekt luksi që kishin dhe të flinin në një çadër.

“Mund të thuash se ishte një rrezik që shkuam atje”, do të rrëfente Stons. Mbrojtësi edhe sot pretendon se ai fjeti mirë nën yje, teksa shokët e tij me zemërgjerësi thonë se po qante aq shumë, saqë i mbajti të gjithë të zgjuar. Ideja e një testi të tillë ishte për të sprovuar futbollistët në shumë këndvështrime dhe situata, në mënyrë që të mos “shkërmoqen” nga tensioni në vështirësinë e parë. Anglia u kualifikua në Botëror dhe ideja e Sauthgejt funksionoi, por tani ka ardhur pjesa e vështirë.

Misioni rus është një detyrim i madh për Anglinë, së cilës i mungon titulli prej me shumë se një gjysmëshekulli. “Tre Luanët” gjithmonë janë paraqitur në kompticione të tilla me pritshmëri të mëdha, të cilat më pas janë venitur sistematikisht, ndaj ky rus mund të jetë Botërori i duhur për ta.