Brazili dhe Argjentina kanë humbur origjinalitetin

Në çdo Botëror, Brazili dhe Argjentina hyjnë me statusin e favoritit. Madje edhe atëherë kur nuk kalojnë momente të mira. Historia me trofetë e fituar, por edhe fakti që ndër vite i kanë dhuruar botës “yjet” më të mëdhenj të futbollit i bën dy skuadrat amerikano-latine të shihen si kundërshtarët për t’u mundur.

Për koicidencë, Botërorin rus të dyja skuadrat e nisën në të njëjtën mënyrë, dy barazime surprizë, por mbi të gjitha duke mos ruajtur dot avantazhin e arritur. Ajo që bie në sy është se si Brazili ashtu dhe Argjentina kanë humbur karakteristikat e tyre kryesore.

“Selecao” është shquar si skuadra që gjithmonë ka dhuruar futbollin më të bukur, jo më kot fjala kyç është “Jogo Bonito”. Mbajtje deri diku e tepruar e topit, driblime të shumta, lojë individuale e “yjeve” që kanë bërë historinë, por që sot nuk ekzistojnë. Kampionët e pesëfishtë janë bërë më shumë europianë dhe në fakt kjo vjen për shkak të aktivizimit të lojtarëve në ekipet e elitës në kontinentin e vjetër.

Në krahun tjetër, Argjentina ka qenë gjithmonë antipodi i Brazilit, një skuadër ku talenti me topin ka qenë i ndërthurur më së miri me forcën fizike dhe disiplinën taktike. “Albicelestet” janë konsideruar si një ndërthurje perfekte e futbollit latin me atë europian, por që sot ka humbur karakteristikat e veta.

Ndaj Islandës u pa një skuadër që zotëronte topin, por mungonte agresiviteti, arma kryesore e 2 herë kampionëve të botës. Për nostalgjikët, kur shohin sot Brazilin dhe Argjentinën, vërejnë ndryshimet e akumuluara ndër vite, kjo dhe për shkak të aktivizimit në Europë, por mbi të gjitha të zhvillimit të madh të futbollit në çdo vend.

Neymar dhe Messi, nëse nuk përshtaten me ekipin, nuk mund të bëjnë asgjë të vetëm, dhe ky është një tjetër tregues se dy amerikano-latinët, pretendentë për të fituar titullin, tashmë janë si një kamaleon, që ka ndryshuar lëkurën duke iu përshtatur kohës.