100% duele të fituara, Behrami monumental. “Futi në xhep” Nejmarin

Në Botërorin e surprizave, një nga më të mirët në fushën e lojës, për të mos thënë më i miri në BrazilZvicër, ka qenë Valon Behrami. Mesfushori i Udinezes, i datëlindjes 1985, do të kujtohet gjatë për çfarë bëri në mbrëmjen e Rostovit.

behrami

REKORDI

Mbi të gjitha, mesfushori helvet është bërë i pari lojtar i përfaqësueses së Zvicrës në historinë e saj që zbret në fushë për të katërtën herë në finalet e një Botërori. Mbi të gjitha, dje ka bërë një nga ndeshjet më të mira të karrierës së tij. Petkoviç e ka vendosur në gjurmët e Nejmar dhe Behrami zbatoi detyrat në mënyrën perfekte.

SHIFRAT

Markim asfiksues 100% të dueleve ajrore të fituara, por, mbi të gjitha, 100% të dueleve gjatë ndeshjes në favorin e tij. Gjithçka merr vlera sipërore, pasi përballë tij ishte Nejmar. Përgjatë gjithë ndeshjes, Behrami ka bërë gjithçka në mënyrën ideale, teksa e ka ndalur me katër faulle dhe vetëm një karton i verdhë. Në 71 minuta lojë, numëron 60 prekje të topit, 41 pasime të sakta dhe 2 aksione të shkatërruara të kundërshtarëve.

ANALIZA

Duelin e fituar të mesfushorit e ka analizuar edhe Greg Xhonson për “futboll.london”. “Valon Behrami, me eksperiencë edhe nga kampionati anglez, ia vështirësoi ‘jetën’ Nejmarit në startin e Botërorit. Me transferimin për shifra rekord nga Barcelona drejt Parisit, braziliani është në kërkim të lavdisë dhe të Topit të Artë. Në këtë kompeticion, mund të jetë ende në kohë për të fituar triumfin personal, por do të lutet që të mos ketë përballë për disa kohë Valon Behramin.

Gjatë gjithë ndeshjes, 33-vjeçari ishte gjithmonë në vendin e duhur për të ndalur brazilianin dhe për të mos i lejuar të bënte depërtime drejt zonës së Zvicrës. Gjatë ndeshjes, Behrami nuk bëri ‘kamikazin me shpatë’, por ishte korrekt me topin dhe gaboi vetëm 3 nga 44 pasimet. Nejmar u shumua në çdo përballje, deri në momentin që Behrami u desh të dilte për shkak të dëmtimit. Edhe në këtë moment, në rrjetet sociale shihet qartë që dalja e mesfushorit e la Brazilin me dhjetë vetë, pasi sulmuesi u harrua në xhepin e tij”, përfundon analiza për duelin mes Nejmar dhe Valon Behramit.