A do të largohet Anglia nga Kupa e Botës sonte në mesnatë?!

Kryeministrja britanike Tereza Mei ka bërë një kërcënim të hapur ndaj Rusisë të hënën, kur ka deklaruar se brenda të martës në mesnatë, autoritetet e Moskës duhet të japin shpjegime për helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal me një lëndë helmuese “të nivelit luftarak”, sipas saj.

Mediat shkruajnë se mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse Moska e neglizhon kërcënimin britanik, por flitet se në listën e kundërmasave të pritshme mund të jetë edhe një vendim ekstrem për mosmarrjen pjesë të ekipit kombëtar të Anglisë në Kupën e Botës që do të mbahet në qershor në Rusi.

Por nuk mbaron me kaq. Janë disa shtete që tashmë kanë deklaruar se mund të bëjnë të njëjtën gjë, nëse helmimi i Skripal rezulton i bërë nga pala ruse. Australia, Polonia dhe Japonia mund të bashkohen me Anglinë në bojkotimin e Kupës së Botës nëse nga përfundimi i hetimeve del se Rusia ishte pas helmimit të ish-agjentit të dyfish rus në Salisbury. ‘Një bojkot i Kupës së Botës është padyshim një nga opsionet në të gjitha kartat që po diskutohet’, tha një burim i mbrojtjes për “The Times”.

Mediat shkruajnë se Londra mund të vendosë që të reagojë në të gjitha fushat, përfshirë edhe sportin. Kupa Botërore, e cila shihet gjerësisht si një shans që Putin të tregojë forcën ruse në një fazë ndërkombëtare, fillon më 14 qershor.