“E grisa letrën e Real Madrid! Te Barça luaj pa problem, por kurrë te…”

Kur mbeten vetëm pak orë nga përballja madhështore ndaj ish-ekipit të tij, argjentinasi i PSG, Angel Di Maria, ndër të tjera komentoi se e kaluara e tij te Real Madrid, ku ai luajti gjatë sezoneve 2010-2014, nuk do të ndikonte që ai të luajë në të ardhmen te Barcelona. “Marrëdhënia ime me Real Madrid ka përfunduar, cikli im kishte mbërritur në fund shumë kohë më parë, sinqerish unë nuk do ta kisha aspak problem të luaja te Barcelona”, deklaroi Di Maria në një intervistë të dhënë për revistën franceze “So Foot”.

Di Maria, i cili do të rikthehet në “Santiago Bernabeu” duke mbajtur veshur fanellën me ngjyrat e PSG, në ndeshjen e të mërkurës për Champions League, rrëfeu se klubi i vetëm për të cilin nuk do të luante kurrë është Newell’s Old Boys, rival i Rosario Central, ekip ku u formua anësori i majtë. Argjentinasi që mbush 30 vjeç të mërkurën, ka treguar se prej disa muaj po trajtohet edhe nga një psikolog: “Më ndihmon që të rekuperohem më shpejt nga dëmtimet, për t’i parandaluar ato dhe për të relativizuar presionin, që të jem më i relaksuar”.

Futbollisti risolli në kujtesë një episode të Kupës së Botës 2014, kur mori një letër nga Real Madrid, që e paralajmëronte atë të nënshkruante një kontratë me përfaqësuesen argjentinase. Një marrëveshje sipas të cilës kombëtarja bardhekaltër do të mbante përgjegjësi për çdo gjë që mund t’i ndodhte lojtarit në finalen kundër Gjermanisë. “Mora mundimin ta lexoj dhe pastaj e grisa. Nuk kam nevoj të kujtoj atë letër që të motivohem kundër atyre. Përballja me Real Madrid është gjithmonë një motivim”, deklaroi Di Maria.