Konfirmohet dëmtimi i brazilianit, Guardiola tregon sa kohë do të mungojë

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka konfirmuar se Gabriel Jesus pritet të mungojë deri në dy muaj, pas dëmtimit që pësoi në sfidën kundër Crystal Palace.

Fillimisht u mendua se braziliani mund të ketë dëmtuar ligamentet, por në fund Guardiola konstatoi se ai do të kthehet në fushë në muajin mars.

“Ai ka probleme me ligamentin në gju. Nëse do të ishte ligamenti kryqëzor, ai do të ishte jashtë për pjesën e mbetur të sezonit dhe rikuperimi do të shkonte nga gjashtë muaj deri në një vit”, theksoi Guardiola.

Jesus pritet të kthehet të luajë në mars, kur Brazili do të luajë miqësore me Rusinë dhe Gjermaninë, tre muaj para Kupës së Botës 2018.