Vllaznia në krizë, reagon futbollisti: Pagat ose i drejtohemi FFK-së

Nuk ka rehati për Vllazninë. Përveç mungesës së pikëve dhe dorëheqjes së trajnerit Bylbyl Sokoli, klubi nga Pozherani po përballet edhe me probleme financiare.

Janë dy paga e gjysmë që ende nuk i kanë marrë futbollistët. Kështu ka deklaruar për Gazetasheshi.com mesfushori sulmues, Festim Krasniqi.

“Në pamundësi të kontaktoj me ndonjërin prej drejtuesve të klubit për situatën e krijuar dhe për disa obligime që kanë ndaj meje, më duket se ka ardhur koha të i drejthem dikujt tjetër, në portale dhe gazeta. Po shoh që po përmenden disa klube që kanë probleme dhe nuk kanë marrë paga qe 2 ose 3 muaj. Mirëpo, te Vllaznia janë bërë dy muaj e gjysmë që futbollistët nuk kanë marrë paga”, deklaroi Krasniqi për Gazetasheshi.com.

“Jam duke e parë se nuk po i vjen era e mirë dhe me patjetër më është dashur të reagoj sepse në çdo klub që kam qenë nuk kam pasur këso llojë problemesh. Ndoshta ka pasur vonesa, por jo kaq të mëdha”, shtoi Krasniqi.

Ai pohon se do të vazhdojnë ta presin kryesinë, por që shpreson se reagimi i tyre të jetë sa më i shpejtë. “Unë dhe bashkëlojtarët jemi në pritje dhe po shpresojmë në ditë më të mira, por ky mosreagim i kryesisë fare nuk po më pëlqen. Lus kryesinë që këto dy ditët e ardhshme të na njoftojnë ose për ndryshe siç e përmenda më lart, në fillim duhet t’i drejtohemi organeve të Federatës”, përfundoi Krasniqi.

Krasniqi ishte njëri nga futbollistët më të mirë të Vllaznisë në vjeshtë pavarësisht se ekipi i tij është i fundit në renditje