Pothuajse zyrtare: Rashkaj pranë kësaj skuadre

Mesfushori Anel Rashkaj mund të kthehet te skuadra suedeze Eskilstuna. Kështu ka bërë të ditur vetë futbollisti që muaj më parë u largua nga klubi Prishtina.

Te Prishtina mesfushori 28-vjeçar u transferua në gusht të këtij viti pikërisht nga Eskilstuna, që edicionin e ardhshëm do të garojë në kategorinë e dytë të Suedisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kam pasur dy oferta nga klube elitare të Finlandës, por nuk kam arritur marrëveshje. Kam ofertë nga Suedia, konkretisht nga klubi ku edhe kam qenë para se të kaloja te Prishtina si dhe nga një skuadër tjetër. Këto ditë besoj se do të bëhem pjesë e një skuadre të Suedisë. Gjasat më të mëdha janë tek Eskilstuna, sepse aty gëzoj respekt të madh, megjithëse u largova gjatë verës kur iu desha më së shumti. Ka një muaj e gjysmë që kam ofertën e kësaj skuadre, e cila më ka ofruar edhe shiritin e kapitenit”, ka thënë Rashkaj të hënën për gazetën.

Ish-futbollisti i Sandnesit të Norvegjisë, qëkur u nda me Prishtinën, u stërvit te skaudra e Halmstadit, ku edhe u zhvillua si futbollist.

Rashkaj ka qenë edhe kapiten i përfaqësueses së Kosovës, me të cilën ka luajtur disa ndeshje.